Variçela (Lija e dhenve)
Variçela (Lija e dhenve)!
Një ndër sëmundjet më të shpeshta sezonale është edhe lija e dhenve, ose siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore Variçela. Mjekët vënë në dukje se shumë nga këto sëmundje që kalohen gjatë fëmijërisë, lënë imunitet (mbrojtje) të përjetshme tek njeriu. Por, në përgjithësi këto sëmundje ngjitëse shkaktohen kryesisht nga viruset, si rrjedhojë kujdesi duhet të jetë maksimal, pasi përveç vetes rrezikojmë transmetimin e infeksionit edhe tek fëmijët e tjerë që qëndrojnë në të njëjtin ambient. Megjithatë me pak kujdes pothuajse të gjithë fëmijët shërohen shpejt dhe pa probleme nga këto sëmundje. Variçela është një sëmundje ngjitëse akute e zakonshme tek fëmijët, veçanërisht të atyre nën moshën 12 vjeçare, e cila duhet ndjekur me kujdes.
Çfarë është variçela ?
Është
një sëmundje shpërthyese, shumë ngjitëse që shkaktohet prej virusit herpetik të
“variçela - zoster”. Ky është një virus që shkakton dy sëmundje: zjarrin e
natës (Herpes-Zoster) dhe linë e dhenve (Variçela). Lija e dhenve (Variçela)
nuk duhet ngatërruar në radhë të pare si nocion me linë e vërtetë (Variola),për
të cilën ne jemi të vaksinuar qysh në fëmijërinë e hershme. Variola (Lija e
vërtetë) është një sëmundje virale e rëndë dhe shumë ngjitëse. Ajo ka qenë një
sëmundje mjaft e përhapur në disa vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës së
Jugut. Sot, ajo është një sëmundje tepër, tepër e rrallë në vendet me nivel të
ulët social-ekonomik. Njerëzimi ka arritur ta zhdukë këtë sëmundje në sajë të
përdorimit të një vaksine mjaft efikase.
Cili është burimi i infeksionit të Lisë së dhenve (Variçelës)?
Burim
infeksioni është njeriu i sëmurë me variçelë 1-2 ditë përpara se të shfaqet
shpërthimi në lëkurë dhe derisa të zhduken koret. Është një sëmundje që
përhapet në rrugë aerogene (ajrit), nëpërmjet spërklave të pështymës ose edhe indirekt
nëpërmjet rrobave apo sendeve që ka në përdorim i sëmuri. Sëmundja ka kryesisht
karakter sezonal dimër-pranverë.
Cilat janë moshat që preken më shumë?
Zakonisht
kjo njihet si sëmundje e fëmijërisë, pra prek më tepër fëmijët e vegjël.
Gjithashtu është vënë re në një përqindje të konsiderueshme se shfaqet edhe tek
të rinjtë, e në moshat e rritura dhe sidomos në të moshuarit që kanë një
rezistencë më të ulët të organizmit të tyre, apo vuajnë më shpesh nga sëmundje
të ndryshme kronike.
Si zhvillohet sëmundja?
Virusi
hyn në organizëm me anë të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, shumëzohet dhe
përhapet në të gjithë sipërfaqen e lëkurës, në shtresën e sipërme të saj që
quhet epiderma. Kështu formohen vezikulat (fshika të mbushura me lëng). Kur
vezikulat çahen, formohen koret (krustat) që do të bien pas një ose dy javësh.
Fshikat nuk dalin vetëm në lëkurë, por edhe në mukozën e gojës, në qiellzë, në
laring, në faring, në mukozat gjenitale etj. Këto shoqërohen me një prurit
(kruajtje) mjaft të shprehur.
Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?
Periudha
e inkubacionit (koha nga infektimi deri në shfaqjen e shenjave klinike) është
mesatarisht dy javë. Fillimisht shenjat janë të përgjithshme, temperature 38
gradë, pa-rehati e përgjithshme. Shenja e pare në lëkurë është një kruajtje
(prurit) në të gjithë trupin dhe një skuqje e lehtë qe të kujton fillimin e
fruthit. Pas këtij fenomeni, brenda 24 orëve shfaqen fshikat (vezikulat) e
para, me lëng të qartë dhe rrethuar nga një unazë e kuqe. Temperatura dhe
shenjat e tjera të përgjithshme nuk zgjasin më shumë se 3-4 ditë. Elementët e
lëkurës shfaqen kudo, duke përfshirë pëllëmbët dhe shputat, por sidomos trupin,
fytyrën dhe lëkurën e mbuluar me flokë. Për 2-3 ditë fshikat çahen, nxisin të
kruara dhe formohen krusta (kore) që bien në ditën e dhjetë duke lenë në mënyrë
kalimtare një lëkurë të dëmtuar kur nuk ka infeksione nga gërvishtjet. Është
karakteristike për këtë sëmundje që brenda një jave ndodhin 2-3 shpërthime të
tilla në lëkurë, pra në të njëjtën pjesë të trupit hasen njëkohësisht elemente
të lëkurës në faza të ndryshme zhvillimi. Çdo shpërthim i tillë shoqërohet me
ngritje të temperaturës 38-39 gradë Celsius, si edhe me limfinoduj (gjendra)
kalimtarë. Shërimi bëhet vetiu brenda 10-15 ditëve (në një subjekt me imunitet
të ruajtur).
Ecuria e sëmundjes!
Pothuajse gjithmonë ecuria e sëmundjes është e mirë.
Nganjëherë mund të kemi mbi-infeksion të lëkurës, si rezultat i pruritit të
shprehur (kruajtjes). Këto janë raste që duhen trajtuar me antibiotikë, por
vetëm nga mjeku. Një ndërlikim tjetër mund të jetë pneumonia, të cilës i duhet
kushtuar mjaft vëmendje sepse mund të ketë pasoja. Një rekomandim i rëndësishëm
për të sëmurët, është që ata të mos lahen derisa të bien krustat
(koret).Gjithashtu e rëndësishme është të qetësohen kruajtjet me barna
antihistaminike (kundër kruajteve) sepse të sëmurët rrezikojnë për
mbi-infeksione. Tek të rriturit sëmundja kalon më rëndë se tek fëmijët. Mjaft
rëndë e kalojnë sëmundjen edhe të sëmurët me dëmtime të imunitetit ose që
vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Gjatë periudhës që janë të prekur nga
kjo sëmundje, pacientët nuk duhet të shkojnë në shkollë ose në punë derisa të
bien koret pasi janë burim infeksioni për të tjerët. Më tej rekomandohet një
higjenë e mire e duarve dhe prerje e thonjve (sepse mund të kemi infeksione
dytësore nga kruajtjet)
Çfarë është variçela kongjenitale?
Nëse
variçela ndodh tek një grua shtatzënë 5 ditë para lindjes apo pas saj, mund të
kemi një variçelë të lindur (kongjenitale) të fëmijës, me bronkopneumoni,
dëmtime të tubit tretës, të trurit me ecuri drejt vdekjes. Ndërsa kur variçela
prek nënën gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë mund të kemi tek fëmija
dëmtime të gjymtyrëve, të syve apo të lëkurës. Prandaj është e rëndësishme të
theksohet një kujdes i veçantë për gratë gjatë kësaj periudhe për t’iu shmangur
kontaktit me sëmundjet infektive.
Parandalimi!
Vaksinimi
nuk ka ndonjë vlerë të rëndësishme. Mund të ndikojë pozitivisht një
imunoglobulinë specifike e cila përdoret kryesisht tek personat me ulje të
imunitetit dhe ata që vuajnë nga sëmundje malinje. Vetë sëmundja lë imunitet të
përhershëm. Pra variçela (lija e dhenve) kalohet vetëm një here në jetë.
Përhapet nga njeriu te njeriu kryesisht me kontakt të drejtpërdrejtë e më pak
me rrugë aerogjene. Mund të përhapet brenda të njëjtës familje, në
çerdhe, në shkolla e në spitale.
Përhapja e infeksionit!
Në
përgjithësi kjo sëmundje është më e infektueshme rreth 2 ditëve të para të
paraqitjes së puçrrave, dhe më pak e infektueshme në ditët kur ndodh tharja e
tyre. Pacientët me variçelë nuk duhet të shkojnë në shkollë derisa të gjitha
puçrrat të jenë tharë, proces ky që mund të zgjasë edhe më shumë se një javë.
Duke qenë se variçela është shumë e infektueshme, shumica e fëmijëve që kanë
vëllezër ose motra të infektuar edhe ata do të preken nga sëmundja, ndërsa
simptomat paraqiten 2 ditë pas fëmijës tjetër.
Comments
Post a Comment